• E mërkurë 26 Shkurt, 2025 18:45

    Hashim Thaҫi: vendimi i fundit mbi kërkesën për lirim të përkohshëm është i disponueshëm në faqe të internetit

    Më 19 shkurt 2025, Gjykatësja e Procedurës Paraprake në çështjen gjyqësore për vepra penale të administrimit të drejtësisë kundër Thaçit dhe të tjerëve hodhi poshtë kërkesën e dytë për lirim të përkohshëm të Hashim Thaçit për arsye humanitare. Sikurse herën e kaluar, Gjykatësja konstatoi se Thaçi nuk ka demonstruar se ekzistonin arsye  të jashtëzakonshme dhe bindëse që përligjnin lirimin e përkohshëm të tij. Versionin e redaktuar publik të këtij vendimi, të dorëzuar më 25 shkurt, mund ta gjeni këtu.

    Korniza ligjore e Dhomave të Specializuara të Kosovës u mundëson personave të paraburgosur që të bëjnë kërkesa për vizitë nën mbikëqyrje në Kosovë kur ka arsye humanitare bindëse. Gjykatësit përkatës vendosin për çdo kërkesë të tillë duke u bazuar në informacionin e dhënë në momentin kur bëhet kërkesa.

  • E mërkurë 26 Shkurt, 2025 18:30

    Thaçi dhe të tjerët: Vendim mbi kërkesën e Mbrojtjes në lidhje me pyetjet e Trupit Gjykues për dëshmitarin

    Më 25 shkurt 2025, Trupi Gjykues në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët lëshoi vendimin mbi kërkesën e katër ekipeve të Mbrojtjes, me anë të cilës kërkohej që Trupi Gjykues të merrte masa për të siguruar paanësinë e procesit dhe për të shmangur dëmin ndaj të akuzuarve. Konkretisht, kërkesa e Mbrojtjes trajton mënyrën e marrjes në pyetje prej Trupit Gjykues të dëshmitarëve të ZPS-së, duke pretenduar ndër të tjera, se krijon perceptim të anshmërisë. 

    Trupi Gjykues mori parasysh kundërshtimet e Mbrojtjes, por hodhi poshtë kërkesën, duke konstatuar se marrja në pyetje nga gjykata nuk shkeli të drejtat e të akuzuarve as nuk do të çonin një vëzhgues të informuar arsyeshëm për të perceptuar arsyeshëm anshmëri. Më shumë hollësi mund të gjeni në vendimin e lëshuar nga Trupi Gjykues.

    Ky është vendimi i dytë në këtë çështje gjyqësore lidhur me kundërshtimet e Mbrojtjes se si Trupi Gjykues mori në pyetje dëshmitarët. Vendimin e parë e lëshoi Paneli i Gjykatës së Apelit  në korrik 2023, kur kërkesa e Mbrojtjes gjithashtu u hodh poshtë.

  • E mërkurë 26 Shkurt, 2025 13:30

    Çështja gjyqësore Mustafa: Gjykata Supreme hedh poshtë kërkesat e Mbrojtjes/ZPS-së për mbrojtje të ligjshmërisë në lidhje me dënimin e ri

    Më 25 shkurt 2025, Paneli i Gjykatës Supreme, i përbërë prej gjykatësve Ekaterina Trendafilova (Kryegjykatëse), Kristinë van den Vajngart, dhe Daniel Fransen, hodhi poshtë kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë që parashtruan Mustafa dhe ZPS-ja. Këto kërkesa u dorëzuan në lidhje me vendimin e Gjykatës së Apelit të datës 10 shtator të vitit të kaluar, në të cilin u shqiptua dënimi i ri për Mustafën.

    Ndër pika të tjera, Paneli konstatoi se Mustafa nuk identifikoi pse dënimi me 15 vjet burgim përbën shkelje të së drejtës penale. Në lidhje me kërkesën e ZPS-së, Paneli konstatoi se thjesht mospajtimet me vendime të caktuara nuk përmbushin standardin rigoroz i cili kërkohet që një kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë të ketë sukses.  

     Më shumë informacion mund të gjeni në vendimin e Panelit.

  • E martë 25 Shkurt, 2025 14:15

    Gjykimi Thaçi dhe të tjerët përfundon për këtë javë/rifillon më 17 mars

    Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të 123-të të Prokurorisë Ismet Tara këtë pasdite, gjykimi u mbyll për sot dhe për këtë javë. Anulohen seancat e 26 dhe 27 shkurtit. Gjykimi do të rifillojë të hënën, 17 mars 2025, në orën 09:00.

  • E martë 25 Shkurt, 2025 10:45

    Gjykimi Thaçi dhe të tjerët: Ismet Tara rifillon dhënien e dëshmisë

    Dëshmitari i ZPS-së Ismet Tara rifillon dhënien e dëshmisë këtë mëngjes. Pas kërkesës së djeshme të dëshmitarit, sot ai shoqërohet nga një mbrojtës kujdestar. Njoftimi i Administratores për caktimin e tij është i disponueshëm këtu.

  • E hënë 24 Shkurt, 2025 15:30

    Gjykimi Thaçi dhe të tjerët përfundon për sot/rifillon nesër (25 shkurt)

    Pas vendimit të Trupit Gjykues për t’i dhënë kohë shtesë Mbrojtjes për të bërë parashtrime mbi provat e propozuara të paraqitura nga ZPS-ja në lidhje me dëshmitarin aktual, gjykimi në çështjen Thaçi dhe të tjerët është mbyllur për sot. Ai do të rifillojë nesër, më 25 shkurt, në orën 09:00, kur pritet të fillojë marrja në pyetje e dëshmitarit Ismet Tara nga Mbrojtja. 

  • E hënë 24 Shkurt, 2025 10:00

    Gjykimi Thaçi dhe të tjerët: dëshmitar i ri i ZPS-së në sallë të gjyqit (i 123-ti deri më tani)

    Këtë mëngjes ka nisur dhënien e dëshmisë dëshmitari i ri i ZPS-së, Ismet Tara. Deri më tani, ky është dëshmitari i 123-të i ZPS-së në gjykatë.  

  • E enjte 20 Shkurt, 2025 15:15

    Informimi javor i DHSK-së për median më 20 shkurt 2025: transkripti

    Transkripti i informimit të sotëm javor të DHSK-së për median ndodhet këtu.

    Photo of Michael Doyle, KSC Spokesperson
    Zëdhënësi i DHSK-së Michael Doyle
     

    Arkivi i të gjitha informimeve të mëparshme është i disponueshëm në këtë faqe ndërsa video incizimet mund të gjenden në kanalin tonë në Youtube