Prokurorja e Specializuar Kimbërli Uest (Kimberly West) mirëpriti aktgjykimin dhe dënimet e sotme në gjyqin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, dhe premtoi se do të vazhdojë të hetojë dhe ndjekë penalisht të gjitha rastet e pengimit të drejtësisë për të garantuar ruajtjen e integritetit të procedurave.
Gjykata shpalli zotërinjtë Thaçi, Smakaj, dhe Fazliu, fajtorë për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, që përfshijnë tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës, duke bërë përpjekje të paligjshme për të ndikuar tek dëshmitarët e mbrojtur. Gjykata nënvizoi veçanërisht rolin udhëheqës të z. Thaçi në koordinimin e këtyre tentativave për pengim dhe gjithashtu e shpalli atë fajtor për shkelje të fshehtësisë së procedurës. Gjykata dënoi gjithashtu z. Kuçi për një akuzë të mosbindjes ndaj gjykatës dhe shpalli z. Kilaj të pafajshëm.
Duke komentuar aktgjykimin e sotëm, Prokurorja e Specializuar tha: “E mirëpres aktgjykimin dhe dënimet e sotme të cilat japin një mesazh të qartë: ata që përpiqen të sabotojnë sundimin e ligjit, të zbulojnë materiale sekrete të gjykatës apo të ndërhyjnë tek dëshmitarët, do të vihen para përgjegjësisë pavarësisht statusit apo postit të tyre.
“Këto përpjekje minojnë ruajtjen e integritetit të procesit gjyqësor dhe atyre iu duhet dalë ballas,” vazhdoi znj. Uest. "ZPS-ja do të vazhdojë të jetë e palëkundur në hetimin dhe ndjekjen penalisht të veprave penale kundër administrimit të drejtësisë për të mbrojtur sundimin e ligjit.”
Akuzat në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët për administrimin e drejtësisë u ngritën në bazë të audioincizimeve të individualizuara e të fshehta, të bëra me autorizimin e gjykatës, dhe materialeve të sekuestruara që demonstrojnë se z. Thaçi, që ishte në paraburgim në Hagë, iu dha udhëzime të paligjshme vizitorëve të tij që të kontaktonin dëshmitarë të ZPS-së në procesin për krime lufte ndaj z. Thaçi që ishte në proces.